BQE drejt shtrenjtimit të kredive, rritja e normës së interesit në dhjetor gjithnjë e më e mundshme

Perspektiva e një rritjeje të normave të interesit në Eurozonë gjatë dhjetorit po bëhet më e fortë, ndërsa inflacioni vazhdon të shqetësojë drejtuesit e bankave qendrore europiane.
Olaf Sleijpen, guvernator i Bankës Qendrore të Holandës dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Europiane, deklaroi se vendimi do të merret në mbledhjen e dhjetorit, por sinjalizoi se politika monetare po shkon drejt shtrëngimit.
Qëndrime të ngjashme kanë shprehur edhe drejtues të tjerë të bankave qendrore, përfshirë presidentin e Bundesbankës gjermane, Joachim Nagel.
Rritja e normave të interesit synon të frenojë inflacionin duke e bërë më të kushtueshëm kreditimin dhe duke kufizuar kërkesën për konsum dhe investime.
Një vendim i tillë mund të ketë ndikim edhe në Shqipëri, veçanërisht për individët dhe bizneset që kanë kredi në euro me norma të ndryshueshme interesi.
Megjithatë, Sleijpen shmangu parashikimet për politikën monetare gjatë vitit 2027, duke argumentuar se pasiguritë ekonomike mbeten të konsiderueshme.


