Veshi xhinse në ritualin fetar, 17-vjeçarja rrihet për vdekje nga familjarët

Një vajzë adoleshente është rrahur për vdekje nga familjarët e saj në Indi, pasi sipas raportimeve erdhi e veshur me xhinse në një ritual fetar.
17 vjeçarja Neha Paswan, u masakrua nga anëtarët e familjes së saj të madhe në shtetin verior indian Uttar Pradesh, njoftonin mediat vendase.
Nëna e saj Shakuntala Devi Paswan tha se bija ishte goditur me shkopinj nga gjyshërit e xhaxhallarët pas një konflikti mbi veshjen e saj, në fshatin e tyre Savreji Kharg.
Nëna e Neha tha për rrjetin britanik BBC: “Ajo kishte mbajtur regjimin e ritualit dhe agjerimit gjatë gjithë ditës. Në mbrëmje veshi një palë xhinse dhe kreu ritualet e rastit. Por kur gjyshërit e saj kundërshtuan veshjen, ajo ua ktheu përgjigjen duke thënë se xhinset janë bërë për t’u veshur”.
Ajo shton se argumenti ishte përshkallëzuar në dhunë. Kur bija e saj kishte mbetur e shtrirë pa ndjenja, nje taksi u thirr per ta derguar ne spital.
“Ata nuk më lanë ta shoqërojë kështu që unë thirra të afërmit e mi. Shkuam në spital por nuk arritëm ta gjenin.”
Por mizoria nuk mbaronte këtu. Mëngjesin tjetër nëna e Nehas dëgjoi se trupi i një vajze ishte varur nga një urë mbi lumin Gandak. Kur familja shkoi të shikonte, zbuluan se trupi ishte i Nehas.
Policia ka hapur një hetim vrasjeje dhe fshehje të provave për 10 persona.
Të akuzuarit janë gjyshërit e Nehas, xhaxhallarët, tezet, kushërirët dhe drejtuesi i mjetit që e transportoi.
Shriyash Tripathi, zyrtar i lartë vendas i policisë, konfirmoi se të arrestuarit po merreshin në pyetje dhe të tjerë ishin në kërkim për çështjen.
Babai i Neha, Amarnath Paswan, punonjës sezonal ndërtimi në Ludhiana, u kthye në shtëpi për të dëshmuar tragjedinë. Ai thotë se ka punuar pa u lodhur që të mund të dërgojë në shkollë fëmijët e tij.


