SHIFRA ALARAMENTE/ The Sun: Pesë shqiptarë burgosen çdo ditë në Britaninë e Madhe!

Një investigim i medias britanike The Sun nxjerr në pah situatën shqetësuese të shqiptarëve në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, gjatë një viti deri në shtatorin e kaluar, 1,865 shtetas shqiptarë janë burgosur, duke u bërë grupi më i madh i të huajve në sistemin penitenciar britanik, me rreth 9% të totalit të të burgosurve.
Në vetëm tre muajt e parë të këtij viti, 58 shqiptarë u dënuan me të paktën një vit burg, kryesisht për trafik droge dhe trafikim personash.
Ligji britanik parashikon që të huajt e dënuar me mbi 12 muaj burg përballen automatikisht me deportim pas përfundimit të dënimit, ndërsa po shqyrtohet mundësia e deportimit edhe më herët.
Që nga zgjedhjet e vitit 2024, autoritetet britanike kanë larguar ose deportuar mbi 58,500 emigrantë të paligjshëm dhe të huaj të dënuar.
Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për transferimin e të burgosurve lejon rikthimin në Shqipëri të atyre që janë dënuar me më shumë se katër vite burg për të vuajtur dënimin në vendin e tyre, një hap që synon të menaxhojë situatën në të dyja vendet.


