Po tentonin të shkrepnin foton perfekte, makina bie në humnerë së bashku me një anëtar të familjes

Bota

Po tentonin të shkrepnin foton perfekte, makina bie në humnerë

Dëshira e madhe për të realizuar foton perfekte është kthyer në tragjedi për një familje, e cila kishte ndaluar makinën buzë një shkëmbi në Kinë.

Në pamjet e filmuara duken pasagjerët që përpiqen të dalin më shpejtësi nga automjeti në lëvizje, por fatkeqësisht njëri prej tyre bie poshtë së bashku me makinën pasi nuk arriti të dilte jashtë, shkruan “Daily Mail”.

Familja kishte udhëtuar drejt një vendi turistik për të kaluar një ditë pushimi dhe e kishin parkuar makinën me pamje nga lugina që ishte poshtë shkëmbit. Pamjet tregojnë momentin kur makina fillon të lëvizë e brenda pak sekondash rrotullohet teksa bie në greminë.

Një djalë në sediljen e pasme arrin të hapë derën dhe të dalë jashtë. Ai ndiqet nga një grua e moshuar, e cila gjithashtu arriti të dilte nga makina shëndoshë e mirë. Por, një grua e ulur në sediljen e pasagjerit para, nuk arrin të heqë rripin e sigurimit dhe bie poshtë së bashku me makinën.

Ndërsa makina bie poshtë, familjarët qëndrojnë në majë të shkëmbit teksa shohin të tmerruar atë që po ndodh. Nuk dihet nëse frenat e dorës së makinës nuk funksionuan, nëse një kabllo u këput apo makina u rrëzua aksidentalisht nga pasagjeri.

Sipas Byrosë së Menaxhimit të Emergjencave të Qarkut Hejing, gruaja pasagjere që u bllokua brenda në makinë, ka pësuar dëmtime të rënda në ijë. Pamjet e incidentit tronditës u publikuan në internet, ku disa komentues pretendojnë se gruaja ishte në gjendje shoku dhe shumë e frikësuar për të vepruar në ato momente në mënyrë që aksidenti të ishte shmangur.

ME TE LEXUARAT