Policia vihet në lëvizje pas atentatit në Sarandë, kontrolle të rrepta me dronë dhe në terren, ja çfarë zbulon

Me dronë dhe kontrolle në terren, Policia po vijon kërkimet për autorët e vrasjes së 44-vjeçarit në Sarandë.
Kontrollet janë shtrirë në zona të ndryshme të Sarandës dhe Delvinës, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin dhe lokalizimin e personave që qëlluan me armë zjarri Artan Myrtajn dhe plagosën rëndë edhe një kalimtar të rastit.
Në terren janë angazhuar strukturat e Policisë së Sarandës, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një analizë me drejtuesit dhe efektivët e Komisariatit pas ngjarjes.
Hita kërkoi intensifikimin e hetimeve dhe rezultate konkrete për zbardhjen e vrasjes, por edhe një analizë të plotë të situatës kriminale në Sarandë.
“Tashmë që sezoni turistik pothuajse ka mbaruar, fokusi i punës tonë do të jetë intensifikimi i hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve kriminale, edhe të atyre të ndodhura vitet e kaluara.
Goditja pa kompromis e grupeve kriminale që veprojnë në qytet dhe evidentimi i çdo veprimtarie të paligjshme të tyre. Do t’ju mbështes me burime njerëzore, duke krijuar struktura të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe kundër krimit të organizuar, por edhe me bazë logjistike. E rëndësishme është reagimi profesional dhe përkushtimi i strukturave aktuale.”
Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar gjithashtu që hetimet të shtrihen edhe te ngjarjet e mëparshme kriminale, me qëllim dokumentimin e tyre dhe identifikimin e autorëve.
Pas përfundimit të sezonit turistik, Policia synon të intensifikojë punën kundër grupeve kriminale dhe krimit të organizuar në Sarandë.


