Merr fund konflikti? Trump: Armenia dhe Azerbajxhani do të nënshkruajnë marrëveshjen historike të paqes në Shtëpinë e Bardhë

Bota

Merr fund konflikti? Trump: Armenia dhe Azerbajxhani do të

Liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit pritet të nënshkruajnë një marrëveshje historike paqeje, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila mund t’i japë fund një konflikti që zgjat prej dekadash.

Marrëveshja do të firmoset më 8 gusht gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti amerikan Donald Trump do të mirëpresë kryeministrin armen Nikol Pashinian dhe presidentin azer Ilham Aliyev.

Trump bëri të ditur në rrjetin e tij social se marrëveshja do të shoqërohet edhe me marrëveshje ekonomike që synojnë zhvillimin e potencialit të rajonit të Kaukazit të Jugut. Ai e përshkroi këtë moment si “ceremoni zyrtare të nënshkrimit të paqes”, duke theksuar suksesin e tij në përpjekjet për të ndalur luftërat.

Një nga pikat kyçe të marrëveshjes është hapja e korridorit strategjik të Zangezurit, i cili do të lidhë Azerbajxhanin me eksklavën e tij Nakhçivan, duke përfshirë linja hekurudhore, tubacione për naftë dhe gaz, si dhe kabllo me fibra optike. Kjo infrastrukturë do të mundësojë kalimin e mallrave dhe njerëzve, duke rihapur një rrugë të mbyllur që nga vitet ’90.

Shtetet e Bashkuara nuk do të financojnë ndërtimin e këtij korridori, por do të inkurajojnë investimet private dhe kanë propozuar që kjo rrugë të quhet “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar”.

Konflikti mes Armenisë dhe Azerbajxhanit ka qenë i përgjakshëm dhe i gjatë, duke përfshirë dy luftëra të mëdha për rajonin e Nagorno-Karabakut. Marrëveshja e ardhshme përbën një hap të madh drejt normalizimit të marrëdhënieve, por edhe ende mbeten çështje të pazgjidhura, si statusi i ish-republikës së Nagorno-Karabakut dhe çështjet kufitare.

Armenia ka pranuar të heqë referencën kushtetuese që lidhte territorin me Deklaratën e Pavarësisë së vitit 1990 dhe ka pranuar shpërbërjen e Grupit të Minskut, ndërmjetësuesi ndërkombëtar i deritanishëm, me kusht që kjo të ndodhë në të njëjtën kohë me nënshkrimin e marrëveshjes së paqes.

Procesi i delimitimit të kufirit ka filluar me sukses në disa pjesë, por ka rezistencë në disa zona të tjera, dhe tensionet vazhdojnë. Në anën tjetër, lidhur me korridorin Zangezur, Armenia kundërshton çdo ide për rrugë ekstraterritoriale, duke kërkuar respektimin e plotë të sovranitetit të saj.

Në këtë proces, roli i SHBA-së është vendimtar. Propozimi amerikan për administrimin e korridorit nga një kompani amerikane për 100 vjet synon të krijojë besim dhe siguri, për të shmangur ndikimin e Rusisë dhe Iranit në rajon, të cilët kanë shprehur shqetësime të forta lidhur me prani amerikane.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë shihet gjithashtu si një mundësi për Donald Trump që të forcojë imazhin e tij si paqebërës dhe të shtojë mundësitë për Çmimin Nobel për Paqe.

Megjithatë, ekspertdhe vëzhguesit paralajmërojnë se nënshkrimi i marrëveshjes nuk garanton stabilitet afatgjatë, duke marrë parasysh historikun e gjatë të konflikteve dhe pengesat e brendshme politike në të dy vendet.

Lajmi pritet të përkojë edhe me skadimin e ultimatumeve ndërkombëtare për përfundimin e konflikteve në rajone të tjera, përfshirë luftën në Ukrainë, ku pozicioni i Rusisë mbetet i pasigurt.

ME TE LEXUARAT