Lushnjë/ Arrestohet 46-vjeçari, iu gjetën në banesë fara kanabis dhe lidhje të paligjshme energjie

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Lushnjë arrestuan në flagrancë A.T., 46 vjeç, banues në fshatin Pirrë, pasi gjatë një kontrolli në banesën e tij u gjetën 124 fara Cannabis Sativa dhe një sasi e vogël e kësaj lënde narkotike, të cilat u sekuestruan si prova materiale.
Gjatë kontrollit u konstatuan edhe lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në banesën e tij, që dyshohet se janë përdorur për aktivitetin e kultivimit të bimëve narkotike.
Në një rast tjetër, specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik referuan materialet në Prokurori për shtetasin M.S., 38 vjeç, banues në Fier. Ai dyshohet se ka kryer përndjekje në rrjetet sociale ndaj ish-bashkëjetueses së tij, duke i shkaktuar shqetësim dhe presion psikologjik.
Materialet procedurale të dy rasteve iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme ligjore.


