Liderët europianë, telefonatë me Trump nga Tirana: Qëndrimi i Rusisë në bisedimet për armëpushim është i papranueshëm!

Liderët evropianë janë pajtuar me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se qëndrimi i Rusisë në bisedimet për armëpushim është i papranueshëm dhe kanë për qëllim ta përgatisin një përgjigje, tha të premten kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.
“Sapo patëm një takim me presidentin Zelensky dhe më pas një telefonatë me presidentin Trump, për t’i diskutuar zhvillimet në negociatat e sotme, dhe qëndrimi i Rusisë është qartësisht i papranueshëm”, u tha Starmer gazetarëve.
“Pas takimit me presidentin Zelensky, dhe diskutimeve me presidentin Trump, tani po i përafrojmë dhe bashkërendojmë përgjigjet tona dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha ai.
Ai tregoi se për vendimin e përbashkët me Trumpin u pajtuan edhe liderët e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë.
Gjatë samitit në Tiranë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij është i përkushtuar për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, por u bëri thirrje liderëve evropianë t’i ashpërsojnë sanksionet ndaj Kremlinit, nëse presidenti Vladimir Putin vazhdon t’i zvarrisë bisedimet për armëpushim.
Rusia dhe Ukraina zhvilluan të premten bisedime të drejtpërdrejta për paqe për herë të parë që nga viti 2022, në qytetin port të Stambollit në Turqi.


