Komisioni Europian: Qëndrimi i BE është i qartë për ndryshimin e kufijëve në Ballkanin Perëndimor

Ditën e sotme, zëdhënësi kryesor i Komisionit Evropian Eric Mamer ka dhënë një konferencë për shtyp, ku foli për ndryshimin e kufijëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, qëndrimi i BE, për këtë çështje, është qartë dhe se nuk ka nevojë për asnjë ndryshim kufijsh.
Kjo ishte deklarata e tij, pasi u pyet se cili është qëndrimi i presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen rreth ideve për ndryshim të kufijve, qoftë përmes dyshimeve se për këtë ka pasur një “non paper” slloven, apo ideve të tilla që qarkullojnë nëpër qarqe të ndryshme.
“Përveç letrës që përmendet, e së cilës i referohen shumë e ne nuk e kemi parë, nuk jemi në dijeni për idetë tjera për këtë dhe e dini shumë mirë pozicionin e qartë të BE-së që e kemi përsëritur shumë herë. Ne nuk jemi në asnjë mënyrë në favor të çfarëdo ndryshimi të kufijve. Duhet ta lëmë këtë çështje të mbyllur një herë e përgjithmonë. Pa marrë parasysh se a kanë ardhur letra, a do të vijnë letrat apo jo, qëndrimi ynë është shumë i qartë në këtë çështje”, tha Mamer.


