Rama për marrëdhëniet me Trump: Shqipëria është mikpritëse si për Sorosin, ashtu edhe për dhëndrin e presidentit amerikan

Kryeministri Edi Rama ka komentuar marrëdhëniet e tij me presidentin amerikan Donald Trump dhe afrimin e Shqipërisë me familjarët e tij, gjatë një diskutimi në Dublin të Irlandës, ku ishte i ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA).
I pyetur nëse si shqiptar do të duhej të ishte i shqetësuar për afrimin me Trumpin, duke pasur parasysh një hetim të madh që pritet të nisë në janar, Rama tha se shqiptarët dhe irlandezët kanë të përbashkët kokëfortësinë dhe mungesën e sofistikimit.
Kreu i qeverisë tregoi se pas zgjedhjes së Trumpit i ishte thënë se mund të ishte në rrezik për shkak të miqësisë së tij me George Sorosin dhe të birin. Megjithatë, Rama theksoi se nuk i gjykon marrëdhëniet personale mbi bazën e zhvillimeve politike.
Ai u ndal edhe te takimi me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan, duke shpjeguar se kur zhvilloi bisedën e parë për projektin në Shqipëri, e ardhmja politike e Trumpit nuk ishte aspak e qartë.
“Nuk e mendova këtë gjë. Pashë një amerikan që donte të bënte një gjë për vendin tim. Shqipëria është shumë mikpritëse ndaj amerikanëve, qoftë ky i biri i Sorosit apo dhëndri i Trumpit, dhe unë e ruaj këtë gjë, sepse ne vijmë nga komunizmi, ku, duke qenë biri i dikujt, mund të shkoje në burg ose të ngriheshe lart”, u shpreh Rama.
Më tej, kryeministri theksoi se marrëdhëniet dhe projektet duhet të vlerësohen mbi bazën e meritës dhe jo të teorive politike.
“Pra, nuk duhet të gjykojmë me teori, por sipas meritës. As nuk dua të di çfarë ndodh në SHBA, por di që, kur bëhet fjalë për këtë projekt, nuk ka asgjë për të fshehur dhe për të pasur frikë”, deklaroi Rama.


