“Isha somnambul”, tenton të mbysë gruan gjatë natës, shpallet i pafajshëm burri
“Isha somnambul.” Me këtë argument i ka shpëtuar burgut një 58-vjeçar në Breshia të Italisë. Gjykata e ka shpallur të pafajshëm edhe pse u arrestua më 4 janar 2021 pas tentativës për të vrarë gruan e tij duke e mbytur atë me një rrobë prej leshi.
“E kishte trurin e stakuar”, tha eksperti i hetimeve paraprake në sallën e gjyqit. "Burri nuk mund ta kuptonte se çfarë po bënte”, shtoi ai dhe teza u pranua nga prokurori publik i cili kërkoi lirimin e 58-vjeçarit nga qelia.
Seanca dëgjimore tregoi se burri vuante nga parasomnia dhe se kur tentoi të vriste gruan e tij duke e mbytur, ai kishte vepruar si somnambul dhe ishte në gjendje të pavetëdijshme.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
I zgjuar nga një pickim i gruas së tij dhe pasi kuptoi peshën e veprimit që kishte bërë, 58-vjeçari u hodh nga kati i tretë atë natë, duke thyer të dyja këmbët. Ai qëndroi në spital për katër muaj. Gruaja nuk e kishte menduar kurrë se ai donte ta vriste dhe për këtë arsye ajo nuk ngriti padi civile kundër tij.
"Fillova të bërtas”, rrëfeu gruaja. “Burri im u kthye nga unë dhe as që i ngjante atij. E pashë teksa doli nga dhoma për të arritur në dritare dhe u hodh."