Hetimi njëvjeçar, mbi 3 mijë punonjës të sistemit shëndetësor humbën jetën nga Covid në SHBA

Më shumë se 3,600 punonjës të sistemit shëndetësor amerikan vdiqën në vitin e parë të pandemisë sipas Lost on the Frontline, një hetim 12-mujor nga The Guardian dhe Kaiser Health NeWs (KHN).
“Lost on the Frontline” ka bërë raportin më të plotë të vdekjeve të punonjësve të kujdesit shëndetësor në SHBA.
Qeveria federale nuk i ka ndjekur gjerësisht këto të dhëna. Por thirrjet janë shtuar që administrata e Biden të ndërmarrë një numërim. Projekti, i cili gjurmonte kush vdiq dhe pse jep të dhëna konkrete mbi funksionimin dhe dështimet e sistemit të kujdesit shëndetësor të SHBA-së gjatë pandemisë.
Një nga zbulimet kryesore është se dy të tretat e punonjësve të shëndetit të vdekur për të cilët ka të dhëna të identifikuara janë njerëz me ngjyrë, duke zbuluar kështu pabarazitë e thella të lidhura me racën, etninë dhe statusin ekonomik në fuqinë punëtore të kujdesit shëndetësor të Amerikës.
Punëtorët me pagë më të ulët që merreshin me kujdesin e përditshëm të pacientit, duke përfshirë infermieret, personelin ndihmës dhe punonjësit e shtëpive të të moshuarve, kishin më shumë të ngjarë të vdisnin në pandemi se sa mjekët.


