Dyshohet se shkaktoi zjarrin e frikshëm! Punëtori i ndërtimit rrezikon deri në 10 vite burg

Një punëtor ndërtimi në Spanjë rrezikon deri në 10 vjet burg pasi u arrestua me akuzën e nisjes nga pakujdesia të zjarrit më të madh pyjor në histori të vendit. Prokurorët po hetojnë nëse zjarri shkatërrues, i cili shpërtheu më 22 korrik pranë Navaluenga në provincën e Avilës, rreth 100 kilometra në perëndim të Madridit, u shkaktua nga përdorimi i një ekskavatori në shkelje të kufizimeve të verës.
Sipas hetimit, burri dyshohet se po përdorte çekiçin hidraulik të ekskavatorit për të shtypur shkëmbinj, duke shkaktuar shkëndija që ranë mbi bimësinë e thatë dhe shkaktuan zjarrin. Sipas raportimeve nga mediat e huaja, përdorimi i makinerive të tilla të rënda është i ndaluar në Spanjë gjatë muajve të verës, për shkak të rrezikut në rritje të zjarreve të shkaktuara nga temperaturat e larta dhe thatësira.
I arrestuari mohon të ketë kryer ndonjë punë, duke u thënë oficerëve të Gardës Civile Spanjolle se kishte shkuar në vend vetëm për të marrë ekskavatorin. Megjithatë, autoritetet pretendojnë se ai po kryente punë pa lejen e kërkuar, ndërsa makineria nuk kishte pajisjet e nevojshme për shuarjen e zjarrit. Nëse shpallet fajtor për shkaktim zjarri nga pakujdesia, ai përballet me një dënim me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet. Përafërsisht 500 mijë kilometra katrorë pyje dhe toka bujqësore u shndërruan në hi. Zjarri u përhap me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë, i favorizuar nga kushtet ekstreme të motit, duke djegur afërsisht 500 mijë kilometra katrorë pyje dhe tokë bujqësore.
Më shumë se 90,000 banorë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në një nga evakuimet më të mëdha që Spanja ka parë ndonjëherë për shkak të një zjarri pyjor. Presidenti i rajonit të Castile dhe Leon, Alfonso Fernández Manihueco, e përshkroi rastin si produkt të “neglizhencës kriminale” dhe njoftoi se qeveria rajonale do të paraqitej si palë civile në gjyq.
“Ky zjarr u shkaktua nga neglizhenca. Qeveria e Castile dhe Leon do të ndërmarrë veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës”, tha ai.
Pavarësisht stabilizimit gradual të frontit të madh në rajonin e Avilës dhe Madridit, autoritetet spanjolle paralajmërojnë se rreziku mbetet jashtëzakonisht i lartë, pasi temperaturat ende arrijnë 40 gradë Celsius në shumë zona të vendit. Ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska, foli për tre ditë shumë të vështira për shkak të erërave të forta dhe nxehtësisë, ndërsa një zjarr i ri i madh kërcënoi provincën e Zamorës, duke çuar në evakuimin e gjashtë vendbanimeve.
Në të njëjtën kohë, Franca jugperëndimore po goditet ende nga zjarre të përhapura. Në zonën në perëndim të Bordeaux, rreth 42,000 hektarë pyje, kryesisht pyje pishe, janë djegur, ndërsa një total prej më shumë se 220,000 njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre si masë paraprake. Edhe pse disa banorë janë kthyer tani, forcat e zjarrfikësve mbeten në gatishmëri të lartë, pasi kushtet e motit vazhdojnë të favorizojnë shpërthime të reja.


