Groposën dhjetëra kg kokainë në kotecin e pulave, gjykata franceze konfirmon dënimin për shqiptarët

Bota

Groposën dhjetëra kg kokainë në kotecin e pulave, gjykata

Gjykata e Apelit në Rennes ka konfirmuar dënimet e dhëna ndaj dy shtetasve shqiptarë, 22 dhe 32 vjeç, të përfshirë në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës, që kishte degë në Vannes dhe Saint-Jean-Brévelay (Morbihan), ku u zbuluan 24 kilogramë kokainë të groposur në një kotec pulash.

Në shtator 2024, pas disa kontrolleve të kryera nga Zyra Franceze Kundër Trafikut të Drogës (OFAST) në lagjen Kercado të Vannes dhe në komuna të tjera të Morbihanit, policia bastisi edhe një fermë në Saint-Jean-Brévelay, pranë Locminé, ku banonte Redmir XXX, një shofer kamioni 47-vjeçar.

Në fermën e tij u gjet fillimisht një çantë sportive me 10 kilogramë kokainë. Hetuesit vazhduan kontrollin duke përdorur një traktor të komunës dhe zbuluan se një bidon plastik i groposur në kotecin e pulave fshihte 24 pako kokaine, secila me peshë 1 kilogram.

Në total, në këtë operacion u sekuestruan 40 kilogramë kokainë pranë anëtarëve të komunitetit shqiptar dhe 81.500 euro para në dorë. Hetimi zbuloi se droga importohej nga Spanja dhe Shqipëria, ruhej në banesa të përdorura si depo në Vannes dhe komuna të tjera të Morbihanit, dhe më pas dërgohej drejt Anglisë dhe Australisë.

Hetuesit zbuluan gjithashtu një hapësirë të fshehtë prej 1,5 metrash në një automjet Mercedes për transportimin e drogës pa u zbuluar.

Njëmbëdhjetë të pandehur të dënuar

Në këtë çështje, 11 të pandehur, mes tyre edhe një grua, u gjykuan nga Gjykata Penale e Rennes më 26–27 janar 2026 dhe u dënuan me masa që varionin nga 9 muaj burg me kusht deri në 6 vjet burgim të plotë.

Osman XXX, 23 vjeç, suvatues nga Vannes, u dënua me: 6 vjet burg, 50.000 euro gjobë, ndalim të përhershëm për të hyrë në territorin francez.

Ndërsa Ergys XXX, 32 vjeç, u dënua me: 4 vjet e 3 muaj burg, 5.000 euro gjobë, ndalim të përhershëm nga territori francez.

Të dy apeluan vendimin.

Dënimet mbeten në fuqi

Në vendimin e 3 korrikut 2026, të bërë publik së fundmi, Gjykata e Apelit në Rennes la në fuqi dënimet ndaj tyre.

Gjatë gjykimit të shkallës së parë, avokati i Osman XXX, Thibault Normand, kritikoi faktin se gjykata ishte përqendruar te sasia e drogës dhe jo te mungesa e precedentëve penalë të klientit të tij, duke argumentuar se ai ishte vetëm një ekzekutues i thjeshtë dhe jo një hallkë kyçe e organizatës kriminale.

Gabim procedural

Pronari i kotecit të pulave në Saint-Jean-Brévelay, shoferi 47-vjeçar Redmir XXX, ishte dënuar gjithashtu me 6 vjet burg nga Gjykata Penale e Vannes në janar 2026.

Megjithatë, ai nuk ndodhej në paraburgim kur u paraqit në gjykim, pasi në qershor 2025 Dhoma e Hetimit e Gjykatës së Apelit në Rennes kishte urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm për shkak të një gabimi procedural.

ME TE LEXUARAT