Arrestimi i Imamoglu shkakton protesta të dhunshme në Stamboll, përplasje me policinë
Protesta masive dhe përplasje me policinë shpërthyen në Stamboll pas arrestimit të kryetarit të bashkisë, Ekrem Imamoglu.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, edhe pse protesta ishte ndaluar nga autoritetet, studentët e universitetit u mblodhën për të shprehur kundërshtimin e tyre. Policia përpiqej të pengonte marshimin, por mijëra protestues, duke brohoritur për demokracinë, arritën të thyenin bllokadën e forcave të rendit.
Studentët bënë thirrje për të mbrojtur të drejtat dhe liritë demokratike, duke marshuar drejt bashkisë së qytetit në Saratchane. Protestës iu bashkuan edhe studentë nga universitete të tjera të Stambollit. Policia turke arrestoi disa nga protestuesit përpara Shkollës Ekonomike.
Situata është mbajtur e tensionuar, ndërsa studentët kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë protestat edhe në ditët në vijim.
Ekrem Imamoglu, kryetari i bashkisë së Stambollit dhe anëtar i Partisë Republikane Popullore (CHP), u arrestua nën akuzat e korrupsionit dhe terrorizmit. Arrestimi i tij u realizua pas një kontrolle në shtëpinë e tij, ndërsa urdhra arresti janë lëshuar edhe për 100 persona të tjerë, përfshirë gazetarë dhe biznesmenë. Akuzat ndaj Imamoglu përfshijnë drejtimin e një organizate kriminale, ryshfet dhe manipulim tenderash.