Aksident në autostradën Fier-Lushnjë, Audi “fluturon” nga mbikalimi, shoferi dërgohet në spital

Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në autostradën Fier-Lushnjë, pranë Kolonjës.
Një automjet tip “Audi”, që po udhëtonte nga Fieri në drejtim të Lushnjës, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në nënkalimin që të çon drejt Kolonjës.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit ka marrë lëndime të lehta dhe është transportuar në Spitalin e Lushnjës për të marrë ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar efektivët e Policisë Rrugore, të cilët kanë nisur verifikimet dhe dokumentimin e aksidentit për të zbardhur rrethanat.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i daljes nga rruga mund të ketë qenë një manovër e gabuar e drejtuesit të automjetit. Ngjarja nuk ka shkaktuar pasoja për persona të tjerë, ndërsa makina ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Ekspertiza e Policisë Shkencore pritet të përcaktojë shkaqet e sakta të aksidentit.


