FOTO/ Një “mega-xhami” 13-katëshe! Projekti i komunitetit mysliman shqiptar “ndez” polemika në Londër

Shqiptarët janë kthyer në qendër të polemikave në Britaninë e Madhe, por këtë herë jo për emigracionin. Sipas “Daily Mail”, komuniteti shqiptar po planifikon të ndërtojë një godinë që do shërbejë si xhami dhe qendër fetare për komunitetin, në veriperëndim të Londrës. Bëhet fjalë për një ndërtesë kullë 13 katëshe, me dhoma lutjesh, një morg dhe një sallë funksionesh për takime dhe festa.
Projekti është planifikuar të ndërtohet në zonën e njohur si “Parku i Mbretëreshës”, një zonë e njohur për parqet dhe arkitekturën karakteristike. Për të ndërtuar kullën, do të prishet një ndërtesë që më parë kishte shërbyer si lokal. Projekti ka ngjallur pakënaqësi tek banorët vendas, të cilët shprehen kategorikisht kundër.
Një banor, i cili nuk donte të identifikohej, i tha Daily Mail: “Është e vështirë të kuptohet se si kjo zonë ka nevojë për një mega-xhami 13-katëshe në ‘Queen’s Park’ kur tashmë ka 15 xhami të tjera në një rreze prej 4 kilometrash. Madhësia dhe lartësia e propozuar e ndërtesës do të dominojnë zonën dhe do ta bëjnë të duket e vogël dhe do ta errësojnë kishën baptiste pranë saj. Dizajni i paraqitur në aplikacion nuk përshtatet aspak me arkitekturën lokale. Duket krejtësisht i papërshtatshëm si në stil ashtu edhe në madhësi.”

Fotografitë e planifikimit tregojnë xhaminë 13-katëshe, e cila ende nuk ka marrë leje ndërtimi, duke u ngritur mbi Kishën Baptiste që ndodhet aty pranë.
Në lidhje me këtë, arkitekti Ayad Al-Tuhafi tha: “Ndërtesa është vendosur qëllimisht prapa, me zgjerimin që fillon në katin e tretë për të zvogëluar masën e perceptuar të ndërtesës në nivelin e rrugës, për të respektuar vendosjen e Kishës Baptiste dhe për të ruajtur rëndësinë e saj vizuale brenda peizazhit të rrugës.”
Por qindra kundërshtime të ngritura ndaj projektit nxorën në pah mungesën e kapacitetit në zonë për mijëra besimtarë që të visitonin xhaminë pasi ajo të ndërtohej. Zona është tashmë e njohur për bllokimet e trafikut për shkak të rrugicave të ngushta.