Bllokohen mbi 2,1 ton produkte ushqimore dhe lodra për fëmijë në Tiranë, probleme në dokumentacion

Një ngarkesë me rreth 156 mijë njësi produktesh ushqimore dhe lodrash të ambalazhuara është bllokuar nga autoritetet doganore pas konstatimit të parregullsive gjatë kontrolleve të bazuara në analizën e riskut.
Kontrolli u krye nga Dega Doganore Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ku gjatë verifikimit fizik të mallrave u evidentua se produktet nuk përmbanin informacionin e detyrueshëm për datën e jetëgjatësisë minimale ose afatin e përdorimit në etiketim.
Sipas autoriteteve, kjo përbën shkelje të kërkesave ligjore për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit, të përcaktuara në kuadrin rregullator shqiptar.
Për shkak të natyrës së rastit, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ka kërkuar vijimin e verifikimeve të plota dhe trajtimin ligjor të çështjes nga strukturat përgjegjëse.
Ngarkesa është vendosur në bllokim dhe mallrat nuk do të lejohen të zhdoganohen apo të dalin në treg deri në përfundimin e procedurave dhe kontrolleve përkatëse.
Administrata Doganore ka bërë të ditur se do të vijojë kontrollet ndaj mallrave të importuara, me qëllim parandalimin e futjes në treg të produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë dhe kërkesat për informimin e konsumatorëve.


