Banka e Shqipërisë kërkon reforma, opozita ngre shqetësimin për varësinë nga ndërtimi

Aktualitet

Banka e Shqipërisë kërkon reforma, opozita ngre shqetësimin

Opinioni i Bankës së Shqipërisë për projektbuxhetin e vitit 2027 u shoqërua me debate në Komisionin e Ekonomisë, ku deputetët e opozitës kërkuan më shumë sqarime për efektet e paketës fiskale, burimet e rritjes ekonomike dhe mbështetjen për biznesin dhe sektorët prodhues.

Në prezantimin e saj zv.guvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj vlerësoi se projektbuxheti ruan një kah konsolidues, me deficit 2.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe investime publike në nivelin 6.8% të PBBs.

Por kërkoi më shumë kujdes  me qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve, administrimin e borxhit dhe përdorimin me efikasitet të parave.

“Banka e Shqipërisë nënvizon nevojën e një planifikimi dhe realizimi më të njëtrajtshëm të shpenzimeve buxhetore, e sidomos të realizimit të investimeve, gjatë vitit. Kjo praktikë do të mundësonte përdorimin më efikas të burimeve publike, si dhe zbutjen e luhatjeve të likuiditetit dhe të kërkesës agregate.

Këto skema vijojnë të kërkojnë një mbështetje të konsiderueshme nga buxheti i shtetit. Në një perspektivë më afatgjatë, trendet e pafavorshme demografike, si plakja e popullsisë, emigracioni dhe rënia e popullsisë në moshë pune, pritet të shtojnë presionet mbi financimin e skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke thelluar sfidat për qëndrueshmërinë e financave publike. Kjo nënvijëzon rëndësinë e vijimit të reformave.

Në një mjedis ekonomik e financiar të karakterizuar nga pasiguri të larta dhe rreziqe të shtuara, forcimi i mëtejshëm i mekanizmave për identifikimin, vlerësimin dhe administrimin e rreziqeve fiskale është tejet i rëndësishëm”, tha zv. guvernatore e dytë, Natasha Ahmetaj.

Pas prezantimit të Bankës së Shqipërisë debati u përqendrua te efektet që paketa e re fiskale pritet të ketë në klimën e biznesit dhe investimet. Deputetët e opozitës ngritën pikëpyetje për taksimin e dividendit, pragun e TVSH dhe mungesën e mbështetjes për sektorët prodhues, duke paralajmëruar se këto ndryshime mund të thellojnë informalitetin dhe të frenojnë investimet.

“Asnjë rritje page për kategoritë që po emigrojnë, vetëm për policët që dhunojnë u rritet se atyre sa më shumë lekë aq më shumë dhunojnë. Ndërsa flasim për tatimet që u rriten bizneseve, ato pak para që u ngelen për investim qeveria ua merr. Bujqësia njësoj 5.3 mld lekë. Ulje fondesh për disa institucione a mendoni që këto masa jo vetëm nuk i japin frymëmarrje dhe nxitje me emigracionin veçanërisht në zonat rurale.

Nuk është e rastit që të gjitha shoqatat e biznesit të ngrihen në kor kundër paketës fiskale. Ne jemi në luftë për tërheqjen e investimeve të huaja. Dhe të mos mbetemi veç te tulla llaç të ndihmojmë sektorët që prodhojnë. Banka e Shqipërisë nuk duhet të hesht në këtë situatë”, deklaroi deputeti i PD, Eno Bozdo.

“Cilat janë burimet e rritjes ekonomike dhe shpërndarja e tyre. Shqetësimi që vetëm rritja vijnë nga 2 sektor mund të shterojnë një ditë është shqetësuese. Si e gjykoni lëvizjen e bazës së rritjes ekonomike dhe e fokusuar vetëm tek ndërtimi.

Financimi i sektorit të ndërtimit është një shqetësim që e kalon përmasën e Shqipërisë, shqetësim për pastrimin e  parave. Nga banka duhet të kishim një përgjigje që ezauron këto shqetësime”, tha Jorida Tabaku.

“Sektori bankar për financimin e ndërtimit është në parametra të shëndetshme. Baza e rritjes ekonomike, po duhet të jetë me e gjerë kontributi i sektorëve. Zhvillimet sektoriale. Lidhur me bujqësinë e kemi bërë pjesë të raporteve kemi një transferim të forcave të punës nga sektori bujqësor në jobujqësor ka qenë arsyet që ka prodhuar rritje të produktiviteti por bujqësia kërkon vëmendje.

Lëvizjet e TVSH si në ulje dhe ngritje, pritet sa efikase do jetë administrata tatimore dhe kontrolli do jetë në nivelin e parashikuar nuk ka arsye pse të ketë informalitet por pavarësisht ndryshimit të vlerësimit në vite ndryshme, efekti i një politike tatimore nuk ka pse të jetë i njëjtë se infrastruktura ndryshon”, tha zv. guvernatore e dytë, Natasha Ahmetaj.

Opinioni i Bankës së Shqipërisë u shoqërua me debate mes deputetëve ndërsa vet zv. guvernatorja theksoi se roli i saj në këtë proces është të japë opinionin mbi projektbuxhetin dhe jo të zëvendësojë Ministrinë e Financave në hartimin e politikave fiskale.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion