Kryeministrja italiane jep bonuse për nënat dhe më shumë leje prindërore: Asnjë grua nuk duhet të zgjedhë...

“Asnjë grua nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes të qenit nënë dhe të punuarit”. Me këtë mesazh, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka prezantuar paketën e masave për mbështetjen e nënave që punojnë dhe familjeve, pjesë e projektbuxhetit të Italisë për vitin 2027.
Një nga masat kryesore është bonusi për nënat, i cili parashikohet të arrijë në 100 euro në muaj, ose 1.200 euro në vit. Përfitimi synohet të jetë i përhershëm dhe pa taksa, për nënat që punojnë dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara, përfshirë kufirin e të ardhurave vjetore prej 40 mijë eurosh.
Bonusi parashikohet për gratë me të paktën dy fëmijë. Në rastin e familjeve me dy fëmijë, përfitimi lidhet me moshën e fëmijës së dytë, deri në 10 vjeç. Për nënat me tre ose më shumë fëmijë, mbështetja mund të vazhdojë deri në moshën 18-vjeçare të fëmijës më të vogël.
Paketa parashikon gjithashtu zgjerimin e lejes prindërore me pagesë. Sipas skemës së propozuar, prindërit do të kenë mundësi të përfitojnë më shumë muaj leje me 80 për qind të pagës, në varësi të numrit të fëmijëve.
Masa synon t'u japë familjeve më shumë kohë për kujdesin ndaj fëmijëve, pa i detyruar prindërit të shkëputen plotësisht nga puna dhe të ardhurat e tyre.


