Babai vr'au djalin 27 vjeç dhe nipin e sapolindur, dalin detaje nga jeta e të riut, ishte dënuar më herët

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku u gjetën të pajetë një 27-vjeçar dhe një foshnjë tre muajshe.
Mediat në Kosovë raportojnë se i riu Adonis Demiri ishte një emër i njohur për drejtësinë. Në qershor të këtij viti, ai ishte dënuar me 6 muaj burgim për veprën penale të kanosjes ndaj të fejuarës së tij, dënim i cili më pas ishte zëvendësuar me një gjobë prej 1,800 eurosh. Po ashtu, mësohet se ndaj tij ishte lëshuar edhe një urdhër mbrojtjeje, me kohëzgjatje 12-mujore, në favor të së fejuarës.
27-vjeçari kishte qëndruar për rreth dy muaj nën masën e paraburgimit në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, me rekomandimin e një eksperti psikiatër, pasi dyshohej se kishte përdorur lëndë narkotike. Ai ishte ndarë me partneren e tij, nëna e foshnjës 3-muajsh, për shkak të dhunës që ushtronte ndaj saj.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë, është arrestuar babai i 27-vjeçarit. 65-vjeçari është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërsa rasti po hetohet si vrasje e rëndë.
Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekspertizë, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivin e kësaj ngjarjeje.

