Gazetarja e BBC-së zbulon ngacmimet nga politikanët britanikë, ministri e ftoi në hotel me partneren

Gazetarja e njohur britanike Laura Kuenssberg ka zbuluar disa episode të sjelljeve të papërshtatshme dhe ngacmimeve nga politikanë të nivelit të lartë, të cilat thotë se i ka përjetuar gjatë karrierës së saj në Westminster. Rrëfimet janë përfshirë në librin e saj të ri, “Pay Attention”, i cili ka tërhequr vëmendjen e mediave britanike për shkak të detajeve mbi marrëdhëniet mes gazetarëve dhe figurave të pushtetit.
Një nga episodet më të bujshme lidhet me një ministër të qeverisë britanike, i cili e kishte ftuar Kuenssberg në dhomën e tij të hotelit gjatë një konference politike. Gazetarja kishte menduar se bëhej fjalë për një takim jozyrtar, por kur mbërriti, gjeti ministrin të shtrirë në krevat, me disa kopsa të këmishës të zbërthyera, ndërsa pranë tij ndodhej edhe partnerja.
Kuenssberg tregon se situata ishte tepër e sikletshme dhe se vendosi të përfundonte pijen përpara se të largohej. E pyetur nga gazeta “The Times” nëse politikani mund të kishte synuar ta përfshinte në një marrëdhënie treshe, ajo nuk e përjashtoi këtë mundësi, por pranoi se mund ta kishte keqkuptuar situatën.
“ Ndoshta po dhe ndoshta jo. Mundet që ta kem kuptuar plotësisht gabim. Ishte shumë e sikletshme”, u shpreh gazetarja.
Një tjetër episod i rrëfyer në libër përfshin një ministër të martuar, me të cilin ajo zhvillonte takime jozyrtare për të diskutuar çështje politike. Sipas Kuenssberg, ai e kishte ftuar në teatër, ku gjatë takimit e kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme. Gazetarja përshkruan gjithashtu sjelljen e një tjetër politikani, i cili e përshëndeste duke e puthur në kokë.
Në një rast tjetër, një anëtar i Dhomës së Lordëve i kishte dërguar një mesazh që ajo e cilësoi si “shumë rrëqethës”, duke komentuar veshjen e saj gjatë një transmetimi televiziv.
Rrëfimet kanë nxitur interes në mediat britanike, edhe për faktin se gazetarja ka vendosur të mos zbulojë emrat e politikanëve të përfshirë dhe as partitë që ata përfaqësojnë. Ajo nuk ka bërë publike as konferencën politike ku ndodhi episodi në hotel, duke lënë të paqartë identitetin e ministrit.
Në intervistat e dhëna për mediat britanike, Kuenssberg ka folur edhe për mënyrën se si disa figura politike sillen me gazetarët, veçanërisht me ata që janë në fillimet e karrierës dhe mund të gjenden në pozita të vështira përballë personave me pushtet.
Përtej episodeve personale, libri “Pay Attention” trajton edhe zhvillimet e politikës britanike gjatë viteve të fundit, përfshirë Brexit-in, ndikimin e rrjeteve sociale, polarizimin politik dhe rritjen e ndikimit të partisë Reform UK. Kuenssberg analizon gjithashtu marrëdhëniet mes politikanëve dhe medias, si dhe mënyrën se si disa prej tyre shmangin llogaridhënien dhe përballjen me pyetjet e gazetarëve.
Laura Kuenssberg është një nga gazetaret më të njohura politike në Britani. Ajo ishte gruaja e parë që drejtoi redaksinë politike të BBC-së, detyrë që e mbajti nga viti 2015 deri në vitin 2022. Aktualisht drejton emisionin politik “Sunday with Laura Kuenssberg”.
Libri i saj i ri ka rikthyer në vëmendje diskutimin mbi sjelljen e politikanëve ndaj gazetareve dhe kufijtë mes kontakteve profesionale dhe marrëdhënieve personale në korridoret e pushtetit britanik.


