Avioni me 287 persona del nga pista gjatë ngritjes, hetuesit zbulojnë aktivizimin e frenave

Bota

116534_ap267925558267_utv.webp

Detaje të reja janë zbuluar për incidentin e rëndë me një Boeing 787-9 të Vietnam Airlines në aeroportin e Mynihut, ku avioni arriti të ngrihej vetëm pasi kishte kaluar fundin e pistës dhe kishte hyrë në zonën me bar.

Sipas raportit paraprak të autoriteteve gjermane të hetimit të aksidenteve ajrore, të dhënat e regjistruesve tregojnë se gjatë procesit të ngritjes janë aktivizuar frenat. Ende nuk dihet nëse piloti frenoi apo nëse bëhej fjalë për një problem teknik.

Në avion ndodheshin 271 pasagjerë dhe 16 anëtarë të ekuipazhit. Boeing-u, me peshë afro 241 tonë, po lëvizte në pistën 4000 metra të gjatë, por për rreth 18 sekonda shpejtësia mbeti në 310 km/h. Shpejtësia e parashikuar për ngritjen ishte rreth 324 km/h.

Avioni u ngrit vetëm pasi kishte dalë nga pista, ndërsa gjurmët e gomave vazhdonin rreth 240 metra në zonën me bar. Gjatë incidentit, bishti dhe rrotat goditën pjesë të sistemit të ndriçimit, duke dëmtuar 20 drita. U konstatuan gjithashtu dëmtime në avion dhe në katër goma.

Ekuipazhi vendosi të kthehej në Mynih dhe hodhi rreth 62 tonë karburant për 45 minuta për të ulur peshën e avionit.

Para uljes, avioni kaloi dy herë mbi aeroport me trenin e uljes të hapur për kontrolle nga toka. Në tentativën e tretë u ul me sukses.

Asnjë nga 287 personat në bord nuk u lëndua. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar arsyen e aktivizimit të frenave gjatë ngritjes.

ME TE LEXUARAT