Vra'sja e Gjovalin Lazrit në Itali / Pesë orë ekspertizë në vendngjarje, dalin detaje të reja

Bota

115203_gjovalin-lazri_m.webp

Më shumë se pesë orë ka zgjatur të martën ekspertiza balistike në një banesë në rikonstruksion në Baldissero d’Alba, ku natën mes 19 dhe 20 shtatorit u vra Gjovalin Lazri, 36-vjeçari me origjinë shqiptare, banues në Torino.

Ekspertët rikrijuan disa herë të shtënën që rezultoi fatale, me qëllim përcaktimin e trajektores së plumbit, këndit dhe distancës së qitjes, si edhe pozicionit të viktimës në momentin kur u qëllua. Në vendngjarje u kryen edhe prova për të verifikuar përputhjen mes trajektores dhe vendndodhjes së gëzhojave.

Sipas rezultateve të autopsisë, Lazri është goditur nga një plumb i vetëm në zonën mes qafës dhe shpatullës. Ai u gjet në hyrje të oborrit të banesës. Tashmë ekspertët po përpiqen të përcaktojnë me saktësi se nga cili pozicion është qëlluar dhe nëse viktima ishte në lëvizje në momentin e goditjes.

Për ngjarjen është nën hetim Roberto Mollo, 35 vjeç, pronari i banesës. Sipas rindërtimit të deritanishëm, ai kishte dëgjuar zhurma në oborr dhe kishte dalë në ballkon, nga ku qëlloi me një pistoletë Steyr 9x21. Lazri dyshohet se ishte pjesë e një grupi që kishte hyrë në pronë në tentativë për vjedhje.

Prokuroria e Asti-t ka caktuar ekspertin balistik Stefano Conti për të kryer analizat. Në ekspertizë kanë marrë pjesë edhe ekspertët e caktuar nga mbrojtja e Mollo-s dhe nga familja e Lazrit. Hetimi duhet të sqarojë edhe nëse të shtënat dhe pozicioni i viktimës janë në përputhje me versionet e palëve.

Mollo vijon të hetohet në gjendje të lirë, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë me saktësi dinamikën e të shtënave dhe nëse ekzistojnë elemente që lidhen me vetëmbrojtjen apo përgjegjësinë penale për vrasjen. 

 

ME TE LEXUARAT