Atentati në Fier, “Volvo” e vjedhur në Suedi hyri në Shqipëri nga Morina, dyshime për përfshirje të kosovarëve

Aktualitet

Atentati në Fier, “Volvo” e vjedhur në Suedi hyri në
Policia shqiptare ka kërkuar informacion nga autoritetet e Kosovës dhe Suedisë në kuadër të hetimeve për atentatin e dyfishtë në Fier, ku mbetën të vrarë Selami Hasani (60 vjeç) dhe nipi i tij, Jakup Hasani (47 vjeç). Në fokus të hetuesve është automjeti tip “Volvo”, i përdorur nga autorët për kryerjen e krimit dhe i gjetur më pas i djegur në fshatin Dërmenas.

Sipas hetimeve, automjeti rezulton i denoncuar i vjedhur në Suedi në vitin 2023 dhe dyshohet se ka hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës, nga territori i Kosovës.

Për këtë arsye, autoritetet shqiptare u kanë kërkuar homologëve në Kosovë të dhëna mbi hyrjen e automjetit në vend, ndërsa autoriteteve suedeze u kanë kërkuar informacion mbi rrethanat e vjedhjes, historikun e mjetit dhe personat që mund të kenë pasur lidhje me të.

Hetuesit dyshojnë se në transportimin e automjetit drejt Shqipërisë mund të kenë qenë të përfshirë edhe shtetas shqiptarë të Kosovës, të cilët mund të kenë bashkëpunuar me personat që organizuan atentatin.

Automjeti “Volvo” u gjet i shkrumbuar në Dërmenas, ndërsa brenda tij policia zbuloi katër armë zjarri, tre prej të cilave të pajisura me silenciator. Gjurmimi i origjinës dhe lëvizjeve të automjetit konsiderohet një element i rëndësishëm për identifikimin e autorëve dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm.

Ndërkohë, pista kryesore ku janë përqendruar hetimet mbetet ajo e hakmarrjes. Selami Hasani, i njohur edhe si Sel Çami, kishte përfunduar vuajtjen e dënimit për vrasjen e Julian Isufajt (2002), nipit të Arben Isufajt, i njohur si Ben Qimja. Për këtë ngjarje ai ishte dënuar me 25 vite burg në vitin 2009.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion