E rëndë, 20 vite në magazinë, shpërthejnë 68 fuçi me lëndë të rrezikshme në SHBA

Bota

E rëndë, 20 vite në magazinë, shpërthejnë 68
Një operacion i pazakontë dhe me rrezikshmëri të lartë është planifikuar të zhvillohet këtë të mërkurë, më 25 nëntor, në një fabrikë municionesh në Middletown të shtetit Iowa, në SHBA.

Ushtria amerikane synon të kryejë shpërthimin e kontrolluar të rreth pesë tonëve azid plumbi, një lëndë shpërthyese që është degraduar pas më shumë se dy dekadash ruajtjeje dhe që, sipas ekspertëve, mund të shpërthejë edhe nga goditje apo fërkime të vogla.

Operacioni është planifikuar për orën 09:00 sipas orës lokale, në ambientet e Iowa Army Ammunition Plant. Sipas njoftimit zyrtar të ushtrisë, bëhet fjalë për 68 fuçi që përmbajnë gjithsej mbi 9,700 paundë lëndë shpërthyese, afërsisht 4.4 tonë.

Materiali është kristalizuar dhe është bërë jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj nxehtësisë, dridhjeve, goditjeve dhe fërkimit.

 Rreziku nuk lidhet vetëm me mundësinë e një shpërthimi aksidental. Shqetësimi kryesor për banorët është se operacioni mund të çlirojë në ajër grimca plumbi, të cilat mund të përhapen në zonat përreth dhe të ndotin tokën, ujërat, hapësirat publike dhe sipërfaqet ku luajnë fëmijët.

Banorëve u kërkohet të largohen nga zona

Për shkak të rrezikut të mundshëm, autoritetet federale u kanë rekomanduar banorëve të Middletown dhe atyre që jetojnë në një korridor prej rreth 8 kilometrash në drejtim të jugperëndimit të largohen përkohësisht nga zona. Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) ka vënë në dispozicion transport, akomodim të përkohshëm në hotele, ushqim dhe ujë për personat që zgjedhin të evakuohen.

Për banorët që ndodhen jashtë zonës së evakuimit, por brenda hapësirës së paralajmëruar, autoritetet kanë këshilluar që të qëndrojnë brenda banesave, të mbajnë të mbyllura dyert dhe dritaret dhe të vendosin sistemet e ngrohjes apo kondicionimit në qarkullim të brendshëm të ajrit.

Vëmendje e veçantë kërkohet për fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me probleme shëndetësore, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj ekspozimit ndaj pluhurit të plumbit.

Ushtria ka deklaruar se po merr masa për të kufizuar përhapjen e grimcave. Rreth bunkerëve ku ndodhen fuçitë janë vendosur barriera betoni, rëre dhe dheu, ndërsa do të përdoren shkumë speciale, xhel dhe mijëra litra ujë për të frenuar pluhurin që mund të ngrihet pas shpërthimit.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit do të kryejë matje të cilësisë së ajrit para, gjatë dhe pas operacionit, si dhe do të marrë mostra të tokës dhe ujërave në zonat e prekura. Sipas planit të njoftuar nga ushtria, nëse në pronat e banorëve konstatohen nivele plumbi mbi kufirin e përcaktuar, qeveria do të mbulojë shpenzimet për pastrimin dhe rehabilitimin e tyre.

 Beteja ligjore që shtyu operacionin

Shpërthimi ishte planifikuar fillimisht për 20 nëntor, por u shty disa herë për shkak të kundërshtimeve të organizatave mjedisore dhe nevojës për të marrë masa shtesë sigurie e për të pritur kushte më të favorshme atmosferike.

Këshilli Mjedisor i Iowas dhe organizata Sierra Club iu drejtuan drejtësisë, duke kundërshtuar lejen emergjente të dhënë nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit. Ato argumentuan se operacioni mund të shkaktojë ndotje të ajrit, tokës dhe ujërave, ndërsa ngritën shqetësime edhe për mungesën e informimit të mjaftueshëm të banorëve dhe monitorimit të pasojave mjedisore.

Më 20 nëntor, Gjykata e Apelit e Qarkut të Tetë vendosi një pezullim të përkohshëm të lejes, duke bllokuar zhvillimin e operacionit. Megjithatë, më 23 nëntor, gjykata hoqi pezullimin dhe rrëzoi kërkesën urgjente të organizatave për ndalimin e shpërthimit. Në vendimin e saj, ajo pranoi se ekzistonin rreziqe reale për shëndetin dhe mjedisin, por vlerësoi se rreziku i një shpërthimi të pakontrolluar ishte më i madh dhe se masat mbrojtëse të parashikuara ishin të mjaftueshme për të lejuar operacionin.

Pse është kaq i rrezikshëm azidi i plumbit?

Azidi i plumbit është një përbërës kimik që përdoret si lëndë ndezëse në prodhimin e municioneve dhe eksplozivëve. Sipas raportimit të Associated Press, rezerva e ruajtur në uzinën e Iowas ishte mbledhur nga baza të ndryshme ushtarake amerikane në vitin 2009, ndërsa materiali kishte qëndruar në fuçi për më shumë se dy dekada.

Gjatë një kontrolli në mars të këtij viti, ekspertët konstatuan se lënda ishte kristalizuar pjesërisht, duke u bërë shumë më e ndjeshme ndaj fërkimit, goditjeve dhe ndryshimeve të temperaturës. Për këtë arsye, transportimi i fuçive apo hapja e tyre për trajtim kimik u konsideruan tepër të rrezikshme.

“Mosveprimi nuk është më një opsion”, deklaroi gjeneralmajori Eric Shirley, drejtues i operacionit, duke argumentuar se shpërthimi i kontrolluar është alternativa më e sigurt për të shmangur një incident të pakontrolluar.

Ndërsa ushtria këmbëngul se masat e marra do të kufizojnë pasojat, banorët dhe organizatat mjedisore vijojnë të shprehin shqetësime për ndikimin afatgjatë të pluhurit të plumbit në shëndetin e njerëzve, bujqësi dhe mjedis.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion