U pla'gos rëndë në sy gjatë protestës, Erjon Vishkulli kthehet në Tiranë dhe dëshmon në Prokurori

Pas ndërhyrjeve kirurgjikale në Itali, Erjon Vishkulli paraqitet në Prokurorinë e Tiranës
Pas disa muajsh përballjeje me një situatë të rëndë shëndetësore, Erjon Vishkulli është rikthyer në Tiranë dhe është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Tiranës, në rrugën “Jordan Misja”.
28-vjeçari, i cili mbeti i plagosur rëndë në sy gjatë përplasjeve të regjistruara në protestën e 24 tetorit, pritet të japë dëshminë e tij përpara organit të akuzës. Deklarimet e tij pritet të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave në të cilat ndodhi plagosja dhe të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen.
Pas incidentit, Vishkulli u përball me një kalvar të vështirë mjekësor. Për shkak të dëmtimit të rëndë në sy, ai iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale në Itali, me qëllim shpëtimin e shikimit. Trajtimi mjekësor zgjati disa muaj, ndërsa gjendja e tij kërkoi kujdes të specializuar.
Tashmë, pas rikthimit në Shqipëri, 28-vjeçari pritet të japë versionin e tij për atë që ndodhi më 24 tetor. Dëshmia e tij konsiderohet një element i rëndësishëm për hetimin, pasi mund të ndihmojë në rindërtimin e momentit të plagosjes dhe në sqarimin e rrethanave të përplasjes.
Ngjarja e 24 tetorit, gjatë së cilës Vishkulli mbeti i plagosur rëndë, është në fokus të hetimeve të Prokurorisë së Tiranës. Përmes dëshmisë së tij dhe provave të tjera që mund të administrohen, organi i akuzës synon të hedhë dritë mbi mënyrën se si ndodhi incidenti dhe përgjegjësitë e mundshme.

