Ambasadori i ri i SHBA-së mbledh në pritje politikanë, diplomatë e përfaqësues të drejtësisë! Berisha mbetet non grata

Në orën 18:00 ambasada amerikane nisi pritjen në Tiranë për prezantimin e ambasadorit të ri Eric Wendt. Në të njejtën orë, Sali Berisha u shfaq live në Korçë.
Mes ftesave për dhjetëra politikanë, të majtë e të djathtë, një e tillë me emrin e tij kishte munguar. Në qershor ai njoftoi gati me triumfalizëm se pas më shumë se 5 vjetësh nga sanksionimi i tij si non grata, ai do të mund të shkelte në SHBA.
“U kry”, tha Berisha në 11 qershor.
Në fakt, bëhej fjalë vetëm për mundësinë që ai të udhëtonte për të qenë pjesë e një delegacioni të partive të djathta në konventën e republikanëve.
Edhe vetë DASH, në komunikimn e kohës, njoftoi se Berisha është përjashtuar nga ndalimi për të hyrë në SHBA. Pjesa tjetër e sanksioneve ndaj tij janë ende në fuqi.
Pak ditë më parë i pyetur nëse do ishte ftuar në pritjen e ambasadorit të ri amerikan ai vetë pranoi thatë.
“ Nuk kam dijeni për ceremoninë”, tha ai.
Ftesat për të marrë pjesë në prezantimin e ambasadorit të ri u kishin mbërritur në postën elektronike dhjetëra personave, që në datën 18 shtator. Për ironi të fatit Sali Berisha, shkoi në Korçë, qytetarët e të cilës, njihen për lidhje të hershme shpirtërore me Amerikën.
Deri më tani ambasadori i ri amerikan, ka takuar kryeministrin Edi Rama, ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha, ministrin e mbrojtjes Ermal Nufi dhe kryetari e Kuvendit Niko Peleshi, veç presidentit Bajram Begaj të cilit i paraqiti letrat kredenciale.
Ndërkohë të pranishëm në këtë ceremoni janë presidenti Bajram Begaj, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, Ministri i Punëve të Jashtme Ferit Hoxha, Minsitri i Drejtësisë Toni Gogu, Minisri i Infrastrukturës Enea Karakaçi, deputetë të PD-së Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Edi Paloka, Belind Këlliçi, kreu i KLP, deputeti Fatmir Mediu, kryepolici Skënder Hita, Prokurori Altin Dumani, ambasadorë të BE-së, përfaqësues të klerit dhe gazetarë.


