Berisha mbledh strukturat e Tiranës, porosia për protestën: Shpërthimi rinor të mos shkojë dëm

Politikë

Berisha mbledh strukturat e Tiranës, porosia për protestën:

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me grupet e punës së qarkut Tiranë, ku në fokus ishte vijimi i aksionit opozitar, organizimi i protestave dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.

Gjatë takimit, Berisha tha se Partia Demokratike nuk do të tërhiqet nga protesta, duke e cilësuar atë si një element thelbësor të betejës politike kundër qeverisjes së Edi Ramës.

Berisha tha se energjia e krijuar nga mobilizimi qytetar dhe veçanërisht nga angazhimi i të rinjve duhet të shndërrohet në një forcë të qëndrueshme politike, që do të çojë përpara përpjekjen për ndryshim.

“Shpërthimi rinor të mos shkojë dëm. Ne nuk heqim dorë nga protesta, pasi protesta është pjesë e jona”, u shpreh Berisha, duke kërkuar vijimin e mobilizimit dhe angazhimit të strukturave të Partisë Demokratike.

Berisha tha se objektivi i opozitës mbetet përballja me regjimin e Edi Ramës dhe krijimi i kushteve për ndryshimin politik në vend.

Paralelisht me vijimin e aksionit opozitar, Berisha kërkoi që strukturat e PD-së të nisin përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke e cilësuar organizimin në terren si një proces që duhet të ecë krahas betejës politike.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte bashkimi i faktorëve politikë dhe shoqërorë kundër qeverisë. Berisha theksoi nevojën për bashkimin e forcave politike në një front të përbashkët, me synimin për t’i shërbyer interesit të vendit.

“Shpresojmë të ngremë një front të përbashkët në interes të vendit”, deklaroi ai.

Takimi me grupet e punës së qarkut Tiranë vjen në kuadër të angazhimit të Partisë Demokratike për forcimin e strukturave, zgjerimin e mobilizimit qytetar dhe koordinimin e aksionit opozitar, njofton zyra e shtypit të PD-së.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion