I vendosi tritol lokalit në Tiranë/ Arrestohet 46-vjeçari, dyshohet si motiv një borxh i pashlyer

Aktualitet

I vendosi tritol lokalit në Tiranë/ Arrestohet 46-vjeçari,

Policia e Tiranës ka kryer hetime intensive për ngjarjen e ndodhur më 18 korrik 2025, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu pranë një lokali në zonën e Rrugës së Durrësit. Pas një pune të detajuar hetimore, është bërë e mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit Hysni Lila, 46 vjeç, banues në Lushnje, i dyshuar për përfshirje në këtë akt kriminal.

Nga hetimet rezultoi se motomjeti i përdorur për vendosjen e lëndës plasëse ishte në pronësi të 46-vjeçarit, i cili dyshohet se ia ka dhënë në përdorim autorit të ngjarjes. Gjatë marrjes në pyetje, Lila ka dhënë deklarata kontradiktore, duke pohuar fillimisht se e kishte shitur motorin, ndërsa më vonë ka thënë se e kishte dhënë përkohësisht në përdorim tek një person tjetër, për të cilin nuk dha informacione të plota.

Burimet e grupit hetimor bëjnë me dije se pista kryesore e hetimit është lidhur me borxhe financiare. Pronari i lokalit, i cili ishte objekti i sulmit me tritol, dyshohet të ketë pasur detyrime të pashlyera në vlerën prej rreth 50 mijë euro ndaj personave të ndryshëm. Kjo pistë konsiderohet si motivi kryesor i shpërthimit.

Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë për veprime të mëtejshme.

Ngjarja ka tronditur zonën e Rrugës së Durrësit dhe përbën një shembull të qartë të veprimeve kriminale që lidhen me mosmarrëveshjet financiare me pasoja të rënda për sigurinë publike.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion