Valët e cunamit godasin Kaliforninë, banorët dhe turistët në Hawaii largohen masivisht nga zonat bregdetare

Bota

Valët e cunamit godasin Kaliforninë, banorët dhe turistët

Një tërmet me magnitudë shkatërrimtare prej 8.8 ballësh ka goditur rajonin e Paqësorit, duke shkaktuar një cunami të menjëhershëm që tashmë ka prekur bregun perëndimor të SHBA-së dhe ishujt e Havait. Valët e para u regjistruan në Crescent City të Kalifornisë, afër kufirit me Oregonin, ku sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të SHBA-së (NOAA), u mat një valë prej rreth 30 centimetrash, por autoritetet paralajmërojnë se kjo është vetëm fillimi.

Gjatë natës, alarmi për cunami është ngritur në të gjithë segmentin prej 160 kilometrash të bregut të Kalifornisë Veriore, një zonë veçanërisht e rrezikuar për shkak të relievit të saj nënujore që kanalizon fuqishëm energjinë e valëve.

Në arkipelagun e Havait, situata ka shkaktuar panik dhe ka detyruar mijëra banorë dhe turistë të braktisin zonat bregdetare. Në Maui, janë regjistruar bllokime të mëdha trafiku, ndërsa në Honolulu dhe Oahu, bregdetet janë zbrazur totalisht nën tingujt e sirenave të emergjencës.

Sipas Qendrës së Paralajmërimit për Cunami të Paqësorit, valët kanë arritur në disa prej ishujve kryesorë: një valë prej 1.74 metrash në Kahului (Maui) dhe një tjetër prej 1.5 metrash në Hilo (Havai).

Megjithatë, autoritetet e Havait kanë shprehur një optimizëm të kujdesshëm, duke theksuar se për momentin nuk është regjistruar ndonjë valë me lartësi ekstreme. Të gjitha portet tregtare janë mbyllur, fluturimet për në dhe nga Maui janë pezulluar, por energjia elektrike nuk është ndërprerë.

Mbetet në fuqi alarmi maksimal, ndërsa ekipet e emergjencës po monitorojnë situatën në kohë reale.

ME TE LEXUARAT