Vrau biznesmenin Rakip Roli, dënohet me 27 vite burg Llej Lika

Aktualitet

Vrau biznesmenin Rakip Roli, dënohet me 27 vite burg Llej Lika

Është dënuar me 27 vite burg nga Gjykata e Lezhës, Llej Liken, i cili në 10 dhjetor 2021, vrau biznesmenin Rakip Roli në fshatin Sanxhak të Kurbinit.

I riu u shpall fajtor për veprat penale të vrasjes me paramendim dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa si bashkëpunëtor në këtë krim u dënua me 20 vite burg dhe Klauido Gjegji (Beleshi).

Ky i fundit fillimisht u procedua per moskallëzim krimi, por referuar dosjes të hetuar nga prokurori Françesk Ganaj, organi i akuzës arriti të provojë se vrasja e biznesmenit Rakip Roli është realizuar nga Llej Lika në bashkëpunim me shokun e tij Klauido Gjegji (Beleshi).

Që prej momentit të arrestimit të tij dy ditë pas ngjarjes, Lika ka deklaruar para hetuesve se ka vepruar i vetëm në vrasjen e biznesmenit në shenjë hakmarrje, pasi ai bashkë me dy djemtë e tij e kishin dhunuar disa ditë para ngjarjes.

Por nga hetimet ka rezultuar se krimi është kryer në bashkëpunim me Klauido Gjegji (Beleshi) dhe trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari i Lezhës Ilir Përdeda dha dënimin maksimal për dy të rinjtë.

Biznesmeni 55-vjeçar Rakip Roli i njohur ndryshe si Pilot Rroli, u ekzekutua me breshëri plumbash automatiku mëngjesin e 10 dhjetorit të vitit 2021. Ai u qëllua teksa po lëvizte me automjetin e tij luksoz audi Q7, sapo kishte dalë nga banesa në fshatin Sanxhak të Kurbinit. 7 plumba e preken në pjesën e trupit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa policia arriti të identifikoj dhe prangose autoret brenda një kohe të shpejtë.

ME TE LEXUARAT