Policia jep detaje nga operacioni anti-drogë në Tiranë

Aktualitet

Policia jep detaje nga operacioni anti-drogë në Tiranë

Policia e Tiranës jep detaje në lidhje me aksionin kundër trafikut të drogës në kryeqytet.

Në kuadër të operacionit të koduar “Collaboration”, u arrestuan tre persona të moshave 35, 23 dhe 43 vjeç, si dhe janë sekuestruar 1 kilogramë e 130 gramë lëndë të dyshuar kokainë dhe një automjet.

Gjatë operacionit janë arrestuar 3 persona të identifikuar si: Paulo Shyti, Xhelo Ajasllari dhe Ervin Rakipi.

“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Tempulli 3”, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Collaboration 3”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: P. Sh., 35 vjeç, Xh. A., 23 vjeç, dhe E. R., 43 vjeç, të tre banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Myslym Shyri”, shtetasit e lartpërmendur, dhe gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit P. Sh., shërbimet e Policisë i gjetën 1 kg e 130 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Gjatë ndërhyrjes, shtetasi E. R. nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë. Lënda narkotike, së bashku me një automjet dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale” thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion