Vdekja e 66-vjeçarit në minierë pas shembjes së masivit shkëmbor, arrestohen 5 punonjës të stafit teknik

Pas vdekjes tragjike të një 66-vjeçari në një subjekt minerar në Bulqizë, pesë punonjës të stafit teknik janë arrestuar nga Policia, me akuzën e mosgarantimit të kushteve të mbrojtjes në punë.
Shtetasi me iniciale F. Sh., 66 vjeç, dyshohet se humbi jetën si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor, gjatë punës në galeri më 6 gusht 2025.
Sipas të dhënave zyrtare, të arrestuarit janë:
• Nj. P., 46 vjeç
• B. Ç., 68 vjeç
• F. T., 61 vjeç
• E. K., 35 vjeç
• E. Xh., 51 vjeç
Të gjithë punonjës teknikë në subjektin minerar, ata dyshohen se me veprimet ose mosveprimet e tyre nuk kanë garantuar kushtet teknike të sigurisë, çka solli pasojën fatale për minatorin.
Hetimet e deritanishme kanë konfirmuar shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.


