Garanci 15 mijë dollarë! Shqipëria nuk preket nga projekti i DASH për vizat amerikane

Shqipëria nuk është përfshirë në listën e vendeve ku do të aplikohet projekti pilot i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), që parashikon vendosjen e një garancie financiare deri në 15 mijë dollarë për marrjen e vizës amerikane.
Projekti 12-mujor do të hyjë në fuqi më 20 gusht 2025 dhe fillimisht do të aplikohet vetëm për shtetasit e Malauit dhe Zambias, dy vende të Afrikës Jugore dhe Juglindore. Masat do të prekin aplikantët për viza turistike (B-2) dhe biznesi (B-1).
Sipas DASH, vendosja e garancisë është një mënyrë për të ulur nivelin e shkeljes së afatit të vizave, problem ky që mbetet i përhapur në shumë vende.
Programi do të funksionojë me tre nivele garancish: 5 mijë, 10 mijë dhe 15 mijë dollarë, në varësi të rrezikut të shkeljes së afatit të qëndrimit. Këtë rrezik do ta vlerësojnë punonjësit e ambasadave, në bazë të historikut të udhëtimeve dhe indikatorëve të tjerë.
Burime nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë thanë se nuk ka asnjë njoftim për përfshirjen e vendit tonë në këtë program. Megjithatë, DASH ka paralajmëruar se lista e vendeve mund të zgjerohet gjatë fazës së zbatimit.
Sipas të dhënave të vitit 2023 të Departamentit Amerikan për Sigurinë e Brendshme, 2.3% e shtetasve shqiptarë që udhëtuan drejt SHBA me vizë, shkelën afatin e qëndrimit. Për krahasim, Çadi ka nivelin më të lartë të shkeljeve me 50%, Laosi me 35% dhe Haiti me 31%.


