Trupi i Enver Bajraktarit u gjet i groposur në arë, autopsia zbulon vrasje brutale me mjete të forta

Aktualitet

Trupi i Enver Bajraktarit u gjet i groposur në arë, autopsia zbulon

Një ngjarje e rëndë tronditi fshatin Baicë të Lipjanit, ku trup i pajetë i një burri u gjet i groposur në një arë të mbjellë me misër. Viktima është identifikuar si Enver Bajraktari, ndërsa burime nga Prokuroria bëjnë me dije se ai është vrarë me mjete të forta, para se të varrosej në tokë.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, autopsia mbi trupin e Bajraktarit është kryer më 5 gusht dhe hetimet janë në zhvillim e sipër. Autoritetet po mbajnë qëndrimin rezervuar për detaje të mëtejshme, për shkak të fazës së hershme të hetimeve.

“Është bërë identifikimi i plotë. Ishte Enver Bajraktari. Është kryer autopsia dhe janë në proces intensiv hetimet në këtë çështje, por detaje më të hollësishme nuk mund të japim në këtë fazë,” thuhet në deklaratën zyrtare të Prokurorisë.

Familjarët e viktimës thanë për mediat se vendndodhja e trupit u zbulua falë pamjeve të kamerave të sigurisë, të cilat kishin kapur lëvizjen e fundit pranë një shtëpie aty afër. Gjatë kërkimeve nëpër arë, disa persona vunë re gjurmë zvarritjeje, që çuan në zbulimin e vendit të varrosjes.

“Nuk supozohet që Enveri ka pasur ndonjë problem me dikë,” – ka deklaruar një prej të afërmve të viktimës.

Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, trupi u gjet më 4 gusht, rreth orës 12:05. Viktima ishte mashkull, rreth moshës 50–60 vjeç. Në vendin e ngjarjes shkuan prokurori kujdestar dhe njësitë e zhvarrimit, të cilët nxorën trupin nga toka.

Policia bën me dije se deri tani janë intervistuar katër dëshmitarë, ndërsa ngjarja po hetohet si “vrasje e rëndë”.

ME TE LEXUARAT