“Unë kisha sistemin TIMS që kontrolloja gjithçka doja"/ Alibej rrëfen vrasjen e rivalëve dhe si vendosi të vetëdorëzohej

“Për të zbuluar kush janë autorët e vrasjes së vëllait, bëra hetuesin”. Kështu u shpreh dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë, Erjon Alibej në rrëfimin e dytë për Gjykatën e Posaçme.
Në një rrëfim të gjatë, ai thotë se kishte humbur çdo besim tek autoritetet.
“Unë kisha sistemin TIMS që kontrolloja gjithçka doja. Të gjithë nga Çopjat, Qosja, Dumanin emrat nisa t’i identifikoj. I kisha me foto dhe gjithë hyrje daljet e tyre. Unë po humbja besimin tek institucionet e drejtësisë në Elbasan. Mësoj se Abedin Mama ka bërë një takim në Elbasan me Ardi Veliun dhe Tonin Vocajn. Kjo mu përputh edhe me ndërrimin e drejtorëve. E mora si informacion. Ndërkohë kërkoja për ekzekutorët e familjarëve të mi.
E kam bërë vetë hetuesin, prokurorin, gjyqtarin. I kam vënë në dispozicion drejtësisë të gjitha informacionet e mia. Pasi më vranë djalin e dajës, Zylyfin, unë isha në kërkim. Atë kohë unë gjithçka e investoja vetëm për mbrojtje dhe për të gjetur ata që na goditën. Unë kisha dalë për hetime vetë, me motor, si shpërndarës picash”, dëshmoi Alibej.
Pasi u vetëdorëzua në polici, Alibej thotë se i vuri në dispozicion policisë të gjitha informacionet që ai kishte grumbulluar, por sipas të penduarit, gjithçka iu kthye kundër tij.
“Pasi jam vetëdorëzuar, i pari që kam informuar ka qenë Leonard Palushi. Në paraburgim me vjen prokurori, që më akuzonte për Xhoni Rustën, Ritvan Suka. I tregova gjithçka dija, pasi ai kishte edhe hetimin e vrasjes së familjarëve të mi. Ja kisha dhënë gjithë informacionet punonjësve të policisë, që ekzekutorët më kanë shkuar deri tek fëmijët në shkollë, deri te nëna ime kur shkonte në varreza. Është bërë zero veprim nga shteti. I është lënë hapësirë grupit të ekzekutorëve, që ne të kishim mort një herë në 6 muaj në shtëpi”, deklaroi ai.
Ai tregoi me detaje edhe si porositi vrasjen e Dorian Shkozës.
“Ishte shumë e rëndësishme që të vritej Dorian Shkoza, ishte njeriu më i afërt i Talo Çelës. Një natë më shkruajti Nuredini, “Vëlla mbaroi i pari, shiko tv”. Pashë lajmet ishte vrarë Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia, këtë të dytin se kisha dëgjuar më parë, i thashë Nuredinit po këtë pse, më tha hajd se dhe ky i atyre është. Nuredinit për vrasjen i dhashë 50 mijë euro paraprakisht.
Pastaj Nuredinit i jap edhe 100 mijë euro edhe për vrasjen e Altin Ndocit. Në total 150 mijë euro. Në atë periudhë kisha kontakt më një person që i thoshin “Hoxha” te Fresku. Ai më gjente mua armë nga Aleksandër Baho”, tha Erjon Alibej.
Erion Alibej është një nga bashkëpunëtorët kryesorë të drejtësisë në Shqipëri, i arrestuar nga dosja “Plumbi i Artë”.


