Turistët largohen nga Shqipëria - Rënie me 25% për shkak të çmimeve, zhurmës dhe kaosit

Turizmi në Shqipëri po pëson një goditje të rëndë këtë sezon veror. Sipas operatorëve turistikë në bregdet, numri i turistëve ka rënë me mbi 25% në krahasim me pritshmëritë e fillimvitit. Arsyet janë të qarta: ndërhyrje të papërshtatshme në hapësirat publike nga ana e qeverisë, zhurma nga punimet, pluhurat dhe një nivel i lartë çmimesh që nuk justifikohet me kushtet e ofruara.
Operatorët janë të shqetësuar dhe kritikë ndaj kohës së zgjedhur për këto aksione ndërtimi apo ndërhyrjeje, duke i konsideruar ato si një sabotim të drejtpërdrejtë të sezonit turistik. “Po dëmtohet rëndë aktiviteti ekonomik. Turistët ankohen për rrëmujën, mungesën e qetësisë dhe pastërtisë. Kjo nuk është mikpritje,” – shprehen disa prej tyre.
Qeveria ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar, ndërsa turistët po zgjedhin destinacione të tjera më të rregullta dhe më të qeta në rajon. Shqipëria, që vitet e fundit ishte në ngjitje në hartën turistike, rrezikon të humbasë imazhin e një vendi mikpritës dhe atraktiv.


