Thyen masën e arrestit shtëpiak dhe ikën nga Tirana në Vlorë për të vjedhur, arrestohen dy persona

Aktualitet

Thyen masën e arrestit shtëpiak dhe ikën nga Tirana në

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për 2 shtetas që dyshohej se kryenin vjedhje në banesa, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Again”.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. G., 48 vjeç dhe A. H., 46 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në momentin që, me pajisje të posaçme, po tentonin të hapnin derën e një banese në lagjen “Bashkimi”, me qëllim vjedhjen.

Nga verifikimet rezultoi se të dy kishin thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”, dhe ishin zhvendosur nga Tirana në Vlorë, për të vijuar veprimtarinë e tyre kriminale.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisje të ndryshme për hapjen e bravave dhe kasafortave, automjeti tip “Mercedes-Benz” që përdorej nga autorët, si dhe 2 celularë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

ME TE LEXUARAT