Kufizime sot në të dyja anët e kufirit Kosovë-Shqipëri për automjetet mbi 20 tonë për shkak të temperaturave, rrezik për radhë të gjata në Morinë

Aktualitet

Kufizime sot në të dyja anët e kufirit Kosovë-Shqipëri

Kufizimet e vendosura për mjetet e tonazhit të rëndë në Shqipëri dhe Kosovë pritet të sjellin vështirësi për transportuesit që kalojnë përmes pikës kufitare Morinë–Vërmicë.

Në Shqipëri, kufizimi i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë mbi 20 tonë është vendosur prej një muaji për shkak të sezonit veror, duke ndaluar lëvizjen e tyre në orare të caktuara gjatë fundjavave.

Për pasojë, shumë drejtues kamionësh planifikojnë lëvizjen për të mbërritur në kufi përpara orës 15:00 të ditës së premte, kur nis kufizimi në territorin shqiptar.

Por këtë të premte situata ndërlikohet edhe më tej, pasi edhe Kosova ka vendosur kufizime të përkohshme për mjetet e rënda për shkak të temperaturave të larta, me ndalim të qarkullimit nga ora 11:00 deri në orën 17:00.

Kjo përkon me orarin kur shumë kamionë që dalin nga Shqipëria synojnë të kalojnë drejt Kosovës, duke rritur mundësinë e krijimit të radhëve dhe pritjeve në Pikën Kufitare Morinë–Vërmicë.

Një situatë e ngjashme ishte regjistruar edhe më parë, kur kufizimet në Shqipëri sollën grumbullim të mjeteve të tonazhit të rëndë në kufi, me pritje të gjata dhe vonesa për transportuesit.

ME TE LEXUARAT