Projektbuxheti, 8 mld euro shpenzime, ministri i Financave, Malaj: Nuk do ketë paketë fiskale
Buxheti i shtetit për vitin, një nga tiparet dalluese që ka, është se mbështet me financim ato projekte të parashikuara në planin e rritjes të Bashkimit Europian. Duke prezantuar shifrat e dokumentit ekonomik para konferencës së kryetarëve, ministri i Financave Petrit Malaj, tha se fondet për shpenzim kalojnë përtej 8 miliard euro.
“Projektbuxheti i vitit 2025 synon të mbështesë një rritje ekonomike të qëndrueshme si dhe të vijojë konsolidimin fiskal, me qëllim final uljen e borxhit publik. Në këtë projektbuxhet, një vëmendje e veçantë i është kushtuar financimit të Planit të Rritjes së Bashkimit Europian (BE) për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike sociale të vendit tonë me vendet e BE.”
Qeveria parashikon se ekonomia do të vijojë rritjen e qëndrueshme, e cila do të mbështetet në sektor të brendshëm si turizmi, ndërtimi dhe konsumi.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“Në skenarin tonë bazë të programimit makro-fiskal për vitin 2025, parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.9%, me një konvergjencë graduale drejt normës potenciale prej 3.9% në periudhën afatmesme. Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi.”
Për herë të parë, projektbuxheti i shtetit nuk shoqërohet me një paketë të mirëfilltë fiskale, çka do të thotë se në vitin e ardhshëm nuk do të ketë ndryshime ligjore në taksa dhe tatime.
“Për vitin 2025 nuk është hartuar një paketë e re fiskale, e cila do të gjeneronte të ardhura shtesë për buxhetin e vitit 2025”
Vitin e ardhshëm parashikohet të hyjnë në fuqi ligji i basteve online, ndërsa rritja e të ardhurave parashikohet të realizohet përmes miradministrimit.