Të shtëna me armë pranë një lokali në Greqi, dyshohet se është i përfshirë Alket Rizai

Athinë – Emri i Alket Rizait është përmendur nga mediat greke në lidhje me një episod me të shtëna me armë të ndodhur në orët e para të së dielës në Anavyssos, pranë Athinës.
Sipas gazetës greke “Kathimerini” që citon noa.al, Rizai, i cili vuan dënim me burg, dyshohet se ndodhej në njërin prej dy grupeve të përfshira në konflikt, në kuadër të një lejeje të ligjshme.
Ngjarja dyshohet se nisi jashtë një lokali buzë detit, ku dy grupe personash u përfshinë në një debat rreth orës 05:00 të mëngjesit.
Konflikti më pas përfundoi me të shtëna me armë.
Kur policia mbërriti në vendngjarje, gjeti dy gëzhoja dhe njolla gjaku, ndërsa nga episodi rezultuan të plagosur të paktën dy persona.
Sipas të dhënave të publikuara, një 20-vjeçar grek pësoi dëmtime në këmbë nga xhamat, ndërsa një 41-vjeçar me origjinë pakistaneze u plagos nga një plumb që i përshkoi shpatullën.
Të dy u dërguan në qendrën shëndetësore të Kalyvia-s.
Autoritetet greke kanë siguruar pamje nga kamerat e sigurisë së zonës dhe pritet të përcaktojnë rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Burime policore të cituara nga media greke bëjnë të ditur se, të paktën në këtë fazë, ngjarja nuk duket se ka qenë një pritë e organizuar.
Ndërkohë, dy të plagosurit kanë dhënë versione të ndryshme për atë që ndodhi në lokal, çka ka bërë që hetimet të vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Por kush është Alket Rizai, emri i të cilit është dëgjuar përsëri ditët e fundit?
Alket Rizai ka lindur në Shqipëri në vitin 1978 dhe u përball për herë të parë me Policinë Greke në fillim të viteve 1990 me raste droge.
Ndërsa në vitin 2003 ai akuzohet se planifikoi dhe vrau Thanasis Koropiotis, duke besuar se kishte hyrë në një lidhje dashurie me të dashurën e tij. Pas një arrestimi të rastësishëm në një apartament në Nea Filadelfia, ai u dënua dhe kaloi tre vjet në burg.
Arratisja e Alket Rizait me Vasilis Paleokostas
Alketi u bë më i njohur kur më 4 qershor 2006, u arratis nga burgu i Koridallos me helikopter së bashku me Vasilis Paleokostas. Si i arratisur, më 26 gusht 2006, ai u akuzua se vrau me gjakftohtësi 43-vjeçarin Konstantinos Koutelieris dhe 36-vjeçarin Ioannis Katsios në Peristeri, me urdhër të Vasilis Stefanakos. Disa ditë më vonë, ai u arrestua dhe tre vjet më vonë, më 22 shkurt 2009, u arratis përsëri me helikopter nga burgu i Koridallos.
Pas disa muajsh, ai u arrestua përsëri në Grammatiko, së bashku me partneren e tij Aspasia Mitropia, e njohur edhe si "Shula e Rizait". Në vitin 2013, ai u përpoq të arratisej për herë të tretë, duke marrë peng 5 roje nga burgu i Malandrinos. Pas 24 orësh negociatash, në fund iu dorëzua Policisë.
Në janar 2021, ai u arrestua nga policia ndërsa drejtonte një makinë BMW, së bashku me dy banditë të rrezikshëm, gjatë një kontrolli të rastësishëm të trafikut. Ai kishte marrë leje nga burgu për 5 ditë.
Alket Rizai është dënuar dy herë me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit Penal me Pesë Anëtarë të Pireut për vrasjen e Kostas Koutelieris dhe Yiannis Katsios dhe me një dënim total prej 25 vitesh burg për arratisjen me helikopter nga burgu i Korydallos.

Alket Rizai në foto të pak viteve më parë


