Balluku përballet me protestuesit në Tiranë, thirrje dhe akuza në rrugë: “O hajdute, te cila vilë do të shkosh”

Protesta kundër qeverisë vijoi këtë të diel në Tiranë, në ditën e 106-të të saj, ndërsa protestuesit u përballën me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku në zonën pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.
Balluku, e shoqëruar nga një vajzë, u vu në qendër të vëmendjes së protestuesve, të cilët nisën t’i drejtonin thirrje dhe akuza.
“O hajdute”, “Rama në burg, Belinda në burg” dhe “O hajdute, te cila vilë do të shkosh”, ishin disa nga thirrjet e protestuesve.
Përplasja verbale ndodhi në një kohë kur Balluku është në qendër të një hetimi të SPAK.
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka mbledhur të dhëna lidhur me një vilë luksoze në Palasë, për të cilën dyshohet se Balluku është pronare faktike, ndërsa në dokumentacion rezulton në emër të personave të tjerë.
Në dosjen e hetimit janë përfshirë gjithashtu komunikime dhe dokumente që lidhen me projektimin dhe arredimin e vilës. Sipas dyshimeve të ngritura nga SPAK, prona lidhet në mënyrë të tërthortë me marrëdhëniet me kompani që kanë përfituar tendera gjatë periudhës kur Balluku drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Më herët, SPAK ka njoftuar edhe sekuestrimin e një pasurie në Dhërmi, për të cilën ka deklaruar se ndodhet në pronësi indirekte të Ballukut.
Në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, Balluku është marrë e pandehur për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera, ndërsa ndaj saj janë ngritur gjithashtu dyshime për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale.


