Premtonin viza pune për në Angli dhe falsifikonin dokumente, arrestohet 39-vjeçarja në kërkim 2 të tjerë

Operacioni "Udhëtimi i sigurtë" ka vënë në pranga një 39 vjeçare nga Fieri me iniciale E.T dhe ka shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët e saj shtetasit E.M dhe J.D.
Këta shtetas, mashtronin qytetarë të ndryshim duke i premtuar viza pune për në Mbretërinë e Bashkuar në këmbim të shumave të mëdha parash dhe duke i pajisur me certifikatën e gjuhës angleze të falsifikuar.
Njoftimi i policisë
Tiranë Finalizohet operacioni policor i koduar "Udhëtimi i sigurt". Operacioni i zhvilluar nga Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Mashtronin shtetas të ndryshëm duke i marrë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin për pajisjen me vizë pune për në Mbreterinë e Bashkuar, vihet në pranga një shtetase, shpallen në kërkim 2 të tjerë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Udhëtimi i sigurt", në kuadër të të cilit bënë ndalimin e shtetases E. T., 39 vjeçe, banuese në Fier. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit me inicialet E. M. dhe J. D. (për arsye hetimore nuk jepen të dhëna të tjera).
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mashtronin shtetas të ndryshëm duke iu marrë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin për pajisjen me vizë pune për në Mbreterinë e Bashkuar dhe paisjen me certifikatë të falsifikuar të gjuhës angleze. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në euro dhe në lekë, si dhe 2 aparate celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare”.


