“Po shuaja flakët e ...”, babë e bir u vranë në pritë në Shkodër, kush është dëshmitari i vetëm i ngjarjes së rëndë

Kur kanë kaluar më shumë se dy ditë nga vrasja që tronditi vendin, Policia e Shkodrës dhe ajo e Shtetit janë ende pa autorë dhe motive.
Ndërkohë që grupi hetimor është rikthyer edhe ditën e djeshme në vendin e krimit, ata kanë mundur të mbledhin vetëm gëzhojat që kanë mundur të gjejnë në atë anë të rrugës, ku Gjokë e Eduart Gurra ranë në pritën e ngritur nga vrasësit e tyre.
I vetmi njeri që ka mundur të tregojë diçka mbi atë që ka dëgjuar dhe parë është një person, që sipas të dhënave është i fisit të viktimave, i cili në momentin që ka dëgjuar krismat e armëve ka qenë duke tentuar të shuajë vatrat e zjarrit në banesën e Gjokë Gurrës.
Ai është i vetmi dëshmitar i atyre momenteve fatale, por që ai nuk ka mundur të shquajë asnjë person, pasi sipas të dhënave prita ka qenë ngritur në hyrje të lagjes Sumë, rreth 500 metër larg vendit ku po digjej shtëpia. Kushëriri i viktimave, mësohet se i ka lënë flakët dhe është nisur në drejtim të vendit nga kanë ardhur krismat e armëve dhe aty është përballur me babë e bir të vrarë në makinë, që sipas policisë ishte një fuoristradë.


