Përplasi për vdekje 17-vjeçarin në Vlorë, ishte në gjendje të dehur, arrestohet shoferi

Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 01:30 të natës së djeshme në qytetin e Vlorës, ku një 17-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi u përplas nga një makinë teksa po udhëtonte me motor. Viktima është identifikuar si Leandro Shametaj, 17 vjeç.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, përplasja ka qenë fatale dhe i mituri ka ndërruar jetë menjëherë. Të njëjtat burime tregojnë se për shkak të goditjes së fortë, trupi i viktimës është dëmtuar rëndë.
Familjarët e të riut ndodhen në spital, ku po përpiqen të tërheqin trupin e pajetë të djalit.
Sipas njoftimeve zyrtare, mjeti me targë AB737UI, që drejtohej nga Haiti Bajramaj, 32 vjeç, është përplasur me motomjetin me targë CA305, që drejtohej nga Leandro Shametaj, vetëm 17 vjeç.
I riu u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.
Drejtuesi i automjetit, Haiti Bajramaj, është shoqëruar nga policia në ambientet e DVP Vlorë, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit tragjik.
Njoftimi i policisë:
“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin H. B., 32 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 28.10.2025, rreth orës 00:15, në bulevardin “Ismail Qemali” duke drejtuar automjetin tip “Porsche”, në gjendje të dehur, është përplasur me motomjetin tip “Trinity”, me drejtues një shtetas të mitur, 17 vjeç, i cili si pasojë, ka ndërruar jetë”, njofton policia.


