“O Atë, fali se nuk dinë ç’bëjnë”, Meta uron Pashkët: E mira do të triumfojë sepse shpresa nuk vdes

Aktualitet

“O Atë, fali se nuk dinë ç’bëjnë”,

Presidenti Ilir Meta ka urur të gjithë besimtarët Ortodoksë për Pashët. Në festën më të rëndësishme për besimtarët e krishterë, Meta ka përcjellë mesazhin e tij duke sjellë lutjen e fundit të Krishtit mbi Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!”

Kreu i shtetit thekson se: “Festa e Dritës, që kurrë nuk perëndon, na kujton sot se sado i lartë të duket “mali” i së keqes, e mira do të triumfojë sepse shpresa me besimin në Zot nuk vdes asnjëherë, por ajo është e gjallë dhe do të ngjallet si Krishti”.

Mesazhi i plotë:

Të dashur besimtarë ortodoksë,

Gëzuar Festën e Shenjtë të Pashkës, Ditën e Ngjalljes së Krishtit, të triumfit të jetës mbi vdekjen, të dritës mbi errësirën, të së mirës ndaj së keqes dhe të dashurisë mbi urrejtjen.

Lutja e fundit e Krishtit mbi Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!”, na kujton se “helmimi” i familjes, i shoqërisë dhe i politikës nga fenomenet e errëta duhet luftuar me kryengritjen paqësore të madhështisë së dashurisë dhe faljes, që na mësoi dhe predikoi me vepra Biri i Perëndisë.


Shumë përpiqen ta shmangin këtë parim, por siç na mëson Ungjilli: “Të bekuar janë ata, që frymëzohen nga falja, e cila buroi nga varri i Krishtit. Të bekuar janë ata, që kërkojnë dashurinë e Tij, që kapërcen çdo mendje”.

Festa e Dritës, që kurrë nuk perëndon, na kujton sot se sado i lartë të duket “mali” i së keqes, e mira do të triumfojë sepse shpresa me besimin në Zot nuk vdes asnjëherë, por ajo është e gjallë dhe do të ngjallet si Krishti.

Me urimet më të përzemërta për popullin shqiptar, për më shumë shëndet, paqe e begati në familjet tuaja!

GËZUAR PASHKËN!

KRISHTI U NGJALL! VËRTET U NGJALL!

ME TE LEXUARAT