“Nipin tim nuk e vrau vetëm thika, por edhe shteti” - Dëshmi tjetër nga protesta e sotme

Aktualitet

“Nipin tim nuk e vrau vetëm thika, por edhe shteti” -

Gjatë protestës së zhvilluar këtë të shtunë para Kryeministrisë në Tiranë, në podium mori fjalën edhe halla e Erionit, të riut që humbi jetën pas një konflikti me thikë me një bashkëmoshatar.

Në fjalën e saj, ajo ngriti akuza ndaj institucioneve shtetërore dhe sistemit shëndetësor, duke deklaruar se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale të nipit të saj në spital pati ndërprerje të energjisë elektrike.

“Unë jam halla e Erionit. Ai u vra me thikë nga një bashkëmoshatar, por e vrau edhe shteti, sepse gjatë operacionit u fikën dritat në spital. Plagët e këtij vendi janë lotët e nënave shqiptare që nuk i kanë fëmijët. Të bashkohen me të gjitha lotët e tyre, që peshojnë shumë mbi tokën shqiptare”, u shpreh ajo.

Më tej, ajo tha se është mësuese dhe poete, ndërsa deklaroi se humbja e nipit ka ndikuar në jetën e saj prej muajsh.

“Unë jam mësuese dhe jam poete që shkruaj, por pena ime loton për Erionin prej muajsh. Dhimbja jonë do shërohet kur të shërohet Shqipëria. Shporruni të shpëtojë ky vend! Bravo rinia shqiptare, e gëzofshi Shqipërinë e bukur!”, deklaroi ajo.

Fjalimi i saj u mbajt gjatë protestës së organizuar para Kryeministrisë, ku qytetarë dhe aktivistë shprehën qëndrimet e tyre mbi çështje të ndryshme politike dhe sociale.

ME TE LEXUARAT