Protestuesit mbushin bulevardin, turma shtrihet deri në Sheshin “Skënderbej", mbushen edhe shkallët e Piramidës

Aktualitet

Protestuesit mbushin bulevardin, turma shtrihet deri në Sheshin

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur me protestues pasditen e kësaj të shtune gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë në Tiranë.

Numri i pjesëmarrësve ka bërë që tubimi të shtrihet përgjatë gjithë bulevardit, ndërsa sipas pamjeve nga terreni dhe raportimeve të organizatorëve, turma e qytetarëve ka arritur deri në zonën e Sheshit “Skënderbej”.

Pamjet e siguruara nga pika të ndryshme të kryeqytetit tregojnë një prani të konsiderueshme të protestuesve në qendër të Tiranës. Një pjesë e qytetarëve janë ngjitur edhe në ambientet e jashtme të Piramidës për të ndjekur zhvillimin e tubimit.

Protesta, e cila po zhvillohet përpara godinës së Kryeministrisë, ka mbledhur qytetarë nga zona të ndryshme të vendit, ndërsa në tubim janë mbajtur fjalime dhe janë shfaqur pankarta me mesazhe kundër qeverisë.

Pjesëmarrësit kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me situatën politike dhe ekonomike në vend, ndërsa gjatë gjithë protestës janë dëgjuar thirrje që kërkojnë largimin e qeverisë.

Tubimi po zhvillohet nën masa sigurie, ndërsa deri në këto momente nuk raportohen incidente.

ME TE LEXUARAT