Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Aktualitet

Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin në

Protestuesit kanë përmbyllur tubimin e zhvilluar para godinës së Kryeministrisë dhe më pas kanë vijuar me marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit.

Pas fjalimeve të mbajtura nga qytetarë të ndryshëm në podium, pjesëmarrësit u larguan nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, duke ndjekur itinerarin e përcaktuar nga organizatorët. Marshimi pritet të përfundojë me rikthimin e protestuesve në pikën e nisjes.

Gjatë lëvizjes në rrugët e Tiranës, protestuesit kanë përsëritur thirrjet që janë dëgjuar edhe në tubimet e mëparshme. Mes sloganeve më të artikuluara ishin “Rama, jep dorëheqjen”, “Shqipëria e shqiptarëve” dhe “Nesër më shumë”.

Një nga karakteristikat që ka shoqëruar edhe këtë protestë ka qenë përdorimi i pankartave me mesazhe kreative, satirike dhe ironike. Pjesëmarrësit kanë zgjedhur të përcjellin qëndrimet e tyre përmes sloganeve të personalizuara, ilustrimeve dhe memeve që kanë qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale.

Ndryshe nga protestat tradicionale politike, në këtë tubim kanë munguar në masë simbolikat partiake, ndërsa vëmendja është përqendruar te mesazhet individuale dhe format alternative të komunikimit publik.

Marshimi vijon nën monitorimin e forcave të rendit, ndërsa deri në këto momente nuk raportohen incidente apo përplasje gjatë zhvillimit të protestës.

ME TE LEXUARAT